FSHS në UKZ mban punëtori për Raportin e Vetëvlerësimit
Fakulteti i Shkencave Sociale në Universitetin Publik “Kadri Zeka” organizon punëtori për programin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Fakulteti i Shkencave Sociale në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka mbajtur një punëtori të dedikuar për shqyrtimin e draftit të Raportit të Vetëvlerësimit të programit Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane. Ky takim u parapri nga realizimi i një hulumtimi me studentë dhe takime me palët e interesit për të përfshirë pikëpamjet e tyre në dokument.
Qëllimi i këtij organizimi ishte diskutimi, analizimi dhe plotësimi i draftit të raportit, duke u mbështetur te rezultatet e hulumtimit studentor dhe rekomandimet e palëve të interesit. E gjithë kjo punë është zhvilluar në përputhje të plotë me standardet e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Ky aktivitet përbën një segment të përpjekjeve të vazhdueshme të fakultetit për ngritjen e cilësisë akademike, përfshirjen e studentëve dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për procesin e akreditimit.



