Foda: Duhet të luajmë në nivelin më të lartë ndaj Izraelit
Përzgjedhësi i Kosovës flet për përgatitjet, mungesat në mbrojtje dhe gjendjen e fushës para ndeshjes së nesërme.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka deklaruar në konferencë se kombëtarja është e gatshme për përballjen e së shtunës ndaj Izraelit, e cila do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 15:00. Trajneri gjerman është shprehur i kënaqur me punën e skuadrës në stërvitje dhe ka konfirmuar se ekipi do të ketë disa mungesa në repartin defensiv, duke përfshirë lojtarë si Lumbardh Dellova dhe Ilir Krasniqi, ndërsa ka theksuar se ka mjaftueshëm lojtarë në dispozicion për t'u besuar atyre dhe se mund të ketë ndonjë ftesë surprizë.
Duke folur për kushtet e fushës, Foda ka vlerësuar se ajo është në gjendje shumë të mirë dhe dukshëm më cilësore sesa në ndeshjen e kaluar ndaj Austrisë, duke shtuar se lojtarët e Izraelit nuk kanë arsye për t'u ankuar. Përzgjedhësi ka vlerësuar kundërshtarin si një ekip të mirë dhe të përgatitur, duke theksuar se ndeshjet e kaluara kanë qenë me rezultate të ngushta dhe se Dardanët duhet të jenë në nivelin më të lartë për të marrë fitoren në këtë duel.