Panathinatë

Panathinatë, festa kryesore e athinasve që i kushtohej lindjes së Atenës, hyjneshës mbrojtëse të qytetit. Sipas legjendës, themeluesi i saj ka qenë Tezeu, që e kishte lidhur këtë festë me bashkimin e fshatrave të Atikës rreth Athinës. Ekzistonin panathinatë e vogla, që festoheshin çdo vit në muajin hekatombeon (27-29 korrik) dhe panathinatë e mëdha (që nga mesi i shekullit VI para es.), që festoheshin me një madhështi të veçantë një herë në katër vjet, në vitin e tretë të çdo olimpiade (24-29 korrik). Festat fillonin natën me vrapime me pishtarë. Në mëngjes organizohej një procesion madhështor që ngjitej për në Akropol. Aty i dhuronin hyjneshës velin, të endur nga vajzat e Athinës. Me këtë vel vishnin statujën e Atenës, që qëndronte në tempullin e Partenonit. Panathinatë e mëdha shoqëroheshin me gara sportive (rendje, luftim, hedhje disku), muzikore dhe me leximin e veprave të Homerit. Festa përfundonte me një flijim të madh (hekatomb) dhe me një gosti, në të cilën shpërndanin mishin e kafshëve të flijuara. Procesioni kishte për qëllim demonstrimin e forcës dhe të fuqisë së Atenës. Këto festa u ndërprenë në shekullin VI, me vendosjen e krishterimit.

Shih edhe