Akonsi
Akonsi (Akonti), djalosh me një bukuri të rrallë, që sipas legjendës së Delosit, njëherë, në tempullin e Artemidës pa duke u falur një athinase të bukur, e cila quhej Kidipë dhe menjëherë u dashurua pas saj. Që të martohej me të përdori një dredhi. Ai shkroi në një mollë këto fjalë: «betohem në emër të Artemidës se do të martohem vetëm me Akonsin» dhe e hodhi mollën te këmbët e Kidipës. Ajo e mori dhe e lexoi me zë të lartë, por kështu shqiptoi një betim që e lidhte me Akonsin përgjithnjë, sepse, sipas zakonit, betimi i bërë në faltoren e hyjneshës duhej përmbushur. Kidipa, që ishte e fejuar me një tjetër, sa herë bëhej gati të martohej, kapej nga një ethe e fortë që ia dërgonte Artemida. Më në fund prindërit u detyruan t'ia japin vajzën e tyre Akonsit.