Elshani: Dhjetë të dyshuar për kontrabandë në veri u kapën gjatë një aksioni
Hetimet gjashtëmujore në veri kanë zbuluar kontrabandë mallrash nga Serbia në vlerë mbi 200 mijë euro.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Gjatë një aksioni në veri të vendit, dhjetë persona ranë në pranga si të dyshuar për kontrabandim mallrash, të cilët më pas u liruan ndërsa procedurat hetimore vazhdojnë. Zëvendësdrejtori rajonal i policisë, Veton Elshani, konfirmoi se ky operacion u parapri nga një periudhë gjashtëmujore hetimesh të bashkërenduara me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Sipas prokurorisë, gjatë kësaj kohe janë sekuestruar mbi 22 automjete dhe mallra të ndryshme që kapin vlerën e mbi 200.000 eurove, përfshirë ushqime, pije, tekstile, produkte higjienike dhe barna pa pulla akcize. Autoritetet theksuan se mallrat pa origjinë të verifikuar rrezikojnë shëndetin e qytetarëve dhe dëmtojnë buxhetin shtetëror bashkë me bizneset legale.
Aktiviteti i paligjshëm i futjes së mallrave nga Serbia kryhej përmes rrugëve alternative, ndërkohë që nga muaji maj deri në septemvër janë ndërmarrë mbi 20 aksione në zonat kufitare të Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut. Institucionet e sigurisë kishin mbyllur mbi 20 kalime ilegale pas ngjarjeve të vitit 2023 në Banjskë.