Ekspozita e ikonave shqiptare vijon të jetë e hapur në Francë
Ekspozita me ikona nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar të Korçës mbetet e hapur për publikun në Chambéry deri më 13 nëntor 2026.
Ekspozita “Ikonat e Shqipërisë – Thesaret e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar të Korçës”, e çelur në qershor të këtij viti në Chambéry të Francës, vijon të jetë e hapur për publikun. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u shpreh se kjo ekspozitë përbën një ftesë për publikun ndërkombëtar me qëllim zbulimin e Shqipërisë përmes kulturës, artit dhe trashëgimisë, si dhe promovimin e Korçës si destinacion i turizmit kulturor.
Sipas njoftimit, mbi 45 ikona të përzgjedhura – mes të cilave vepra të Onufrit, vëllezërve Zografi dhe Mësues Kostandinit – paraqiten për herë të parë para publikut francez nga fondi i Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 13 nëntor 2026, duke synuar forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet Shqipërisë dhe Francës.

