E moshuara gjendet pa jetë në rezervuarin e Bilishtit
Një 82-vjeçare është gjetur e pajetë në rezervuarin e qytetit në Devoll, ndërsa policia ka nisur hetimet për rrethanat e ngjarjes.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Një 82-vjeçare me inicialet A. K. është gjetur pa shenja jete në ujërat e rezervuarit të qytetit në Devoll, pranë Bilishtit. Sipas të dhënave paraprake nga Policia e Shtetit, trupi i pajetë është konstatuar rreth orës 12:30.
E moshuara, e cila vuante prej kohësh nga probleme shëndetësore dhe jetonte me djalin e saj, është gjetur pikërisht nga ai. Sipas burimeve të tjera paraprake, nuk kishte pasur denoncim nga familjarët për zhdukjen e saj. Nga këqyrja e parë fizike, ekspertët nuk kanë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera fizike, ndërsa dyshohet paraprakisht se e moshuara është vetëmbytur.
Grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje dhe po kryen veprimet përkatëse për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut zyrtar të vdekjes. Trupi është dërguar në morgun e spitalit të Korçës, ku pritet t'i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore.