Dukagjini dhe Llapi nisin xhiron e trembëdhjetë të Superligës
Xhiroja e 13-të e Superligës së Kosovës në futboll hapet me ndeshjen ndërmjet Dukagjinit dhe Llapit në Klinë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Albi Mall Superliga e Kosovës në futboll vazhdon me ndeshjet e xhiros së trembëdhjetë, e cila hapet me përballjen ndërmjet Dukagjinit dhe Llapit. Dueli zhvillohet në stadiumin “18 qershori” në Klinë, me fillim nga ora 17:00, dhe është e vetmja ndeshje në program. Skuadra e Dukagjinit synon të shfrytëzojë përparësinë e fushës vendase për të arkëtuar pikët e plota, kurse Llapi udhëton me objektivin për të marrë rezultat pozitiv në garën për t’i ikur zonës së rrezikshme.
Gara në elitën e futbollit tonë vazhdon gjatë fundjavës me katër duele të tjera. Të shtunën luhen dy ndeshje: Feronikeli ’74 e pret Ballkanin në Drenas nga ora 13:00, ndërsa Malisheva është mysafire e Gjilanit në ndeshjen që nis në ora 16:00. Të dielën janë në program dy përballjet e fundit të kësaj xhiroje, ku Vushtrria pranon Prishtinën dhe Drenica luan kundër Dritës, me të dyja takimet që fillojnë nga ora 13:00.