Dosja Plumbi i Arte, SPAK kërkon 292 vite burg për të pandehurit
Prokuroria e Posaçme ka paraqitur pretencën për 15 të pandehurit e dosjes «Plumbi i Artë», ku dëshmitë e tre të penduarve ndihmuan në zbardhjen e 27 ngjarjeve kriminale.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka paraqitur pretencën për 15 të pandehurit në kuadër të dosjes së njohur si «Plumbi i Artë», e cila përfshin 27 ngjarje kriminale të ndodhura në disa qytete të vendit. Hetimet dhe zbardhja e krimeve u mbështetën te dëshmitë e tre personave që vendosën të bashkëpunonin me drejtësinë, përkatësisht Nuredin Dumani, Erjon Alibej dhe Skerdi Tase, të cilët ndihmuan hetuesit të rindërtonin ngjarje të rënda si vrasja e Emiljano Ramazanit dhe Bujar Çelës, masakra e Bradasheshit apo ekzekutimi i vëllezërve Haxhia.
Për 15 të pandehurit e kësaj dosjeje, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënime që në total llogariten në 292 vite burg. Për tre bashkëpunëtorët e drejtësisë, institucioni i akuzës ka kërkuar 10 vite burg për Nuredin Dumanin, 15 vite për Erjon Alibejn dhe 13 vite për Skerdi Tasen. Nëse këto kërkesa pranohen nga gjykata dhe dënimet marrin formë të prerë, duke llogaritur kohën e paraburgimit, për ta mundësia e lirimit mund të jetë më e afërt, ndërsa statusi u njeh edhe mundësinë e përfshirjes në programin e posaçëm të mbrojtjes së dëshmitarëve me identitet të ri dhe zhvendosje.
Në fillimet e saj, dosja numëronte dy të penduar, ku krahas Nuredin Dumanit ishte edhe Henrik Hoxhaj, i cili më pas humbi statusin e bashkëpunëtorit për shkak të dhënies së informacioneve të pavërteta. Për Henrik Hoxhajn, SPAK ka kërkuar dënimin më të rëndë mes të pandehurve, duke kërkuar 35 vite burg.