Merxhan Jakupi boton monografinë për historinë e Veshallës
Libri paraqet historinë e fshatit dhe kujtime personale të autorit Merxhan Jakupi
TIRANË — Doli nga shtypi këto ditë, libri 'Veshalla – përjetimet dhe kujtimet e mia' i autorit Merxhan Jakupi. Libri paraqet një rrëfim të gjerë dokumentar të gërshetuar me një sfond kujtese, kushtuar historisë, njerëzve dhe mbamendjes kolektive të Veshallës.
Libri sjell historinë e fshatit, portrete të dhjetëra personaliteteve, rrugëtimin e mërgatës, traditat, jetën shoqërore e kulturore, si dhe kujtime personale të autorit, të pasuruara me dokumente dhe fotografi të rralla.
Monografia është konceptuar si një dëshmi për ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë së Veshallës, duke i lënë brezave një burim me vlerë historike dhe kulturore. Në faqet e këtij libri shpaloset një rrugëtim i gjatë historik, që nis nga periudha osmane, vazhdon me Luftërat Ballkanike, me vitet e Mbretërisë Jugosllave, me Luftën e Dytë Botërore, me kohën e Jugosllavisë socialiste dhe arrin deri në realitetin e sotëm.
Këto periudha nuk paraqiten vetëm si data dhe ngjarje politike, por si përvoja njerëzore që kanë lënë gjurmë në jetën e banorëve të Veshallës. Me këtë botim, autori Merxhan Jakupi i shton fondit të botimeve të tij një tjetër vepër me rëndësi dokumentare, e cila pritet të zgjojë interes jo vetëm te banorët e Veshallës dhe të Malësisë së Sharrit, por edhe te studiuesit, lexuesit dhe të gjithë ata që interesohen për historinë dhe kujtesën që përvijohet në thellësi të kohërave.
Burim: Tetova Sot
— Redaksia ZHURMA


