Deputeti kroat: Kosova është shtet sovran dhe i pavarur
Igor Peternel ka kërkuar që pavarësia e Kosovës të pranohet, duke drejtuar kritika të ashpra për zhvillimet politike në Serbi.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Nënkryetari i partisë politike kroate DOMiNO, Igor Peternel, ka dalë me qëndrimin se shteti i Kosovës është sovran dhe i pavarur, duke shtuar se ky realitet duhet të pranohet. Gjatë deklarimeve të tij, ai ka shprehur kritika të ashpra ndaj politikanëve serbë dhe situatës aktuale politike atje, duke e cilësuar rivalitetin mes aktorëve si përplasje mes rrymave nacionaliste.
Duke përdorur gjuhë të rreptë për skenën politike në Serbi, deputeti kroat u shpreh se «në Serbi ekziston çetnikizëm përballë një çetnikizmi edhe më të madh – të gjithë atje janë njësoj!». Ai përsëriti gjithashtu se «Kosova është shtet sovran dhe i pavarur!», teksa theksoi domosdoshmërinë që Zagrebi të mbajë qëndrim të prerë karshi Beogradit.
Sipas tij, shteti kroat duhet t'u përgjigjet qartë provokimeve që vijnë nga Serbia, duke mos lënë asnjë hapësirë për paqartësi rreth raporteve në rajon dhe zhvillimeve politike.