Britania dhe Franca kundërshtojnë ndryshimet në Ligjin për Specialen
Pas Bashkimit Evropian, Britania e Madhe dhe Franca kanë shprehur shqetësim dhe kundërshtim ndaj ndryshimeve të miratuara nga Kuvendi në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Pas reagimit të Bashkimit Evropian, edhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ambasada e Francës në Kosovë kanë kundërshtuar ndryshimet e miratuara nga Kuvendi në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Më parë, Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, i kishte cilësuar këto ndryshime si të papranueshme dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar ka paralajmëruar se zbatimi i ndryshimeve ligjore mund të shkelë një marrëveshje ndërkombëtare. «Vërejmë dhe ndajmë shqetësimet e Bashkimit Evropian se ndryshimi ligjor, nëse do të hynte në fuqi, do të përbënte shkelje të një marrëveshjeje ndërkombëtare», thuhet në përgjigjen e ambasadës, e cila ka rikujtuar mbështetjen e saj për themelimin e gjykatës në vitin 2015 për të luftuar pandëshkueshmërinë. Ndërkaq, Ambasada e Francës ka shprehur shqetësim të thellë, duke theksuar se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur gjyqësor dhe se mandati e pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.