Çfarë ndodh në deponitë e vogël në OHIS?

Kompani të shumta marrin pjesë në tender për pastrimin e mbeturinave të rrezikshme

Çfarë ndodh në deponitë e vogël në OHIS?
Foto: Wikimedia Commons

SHKUP — Me tender po kërkohet kompani që do ta pastrojë lindanin e mbetur në deponinë e vogël në OHIS. Bëhet fjalë për një pjesë të basenit të tretë, si dhe të katërt dhe të pestë të deponisë, të cilët ende përmbajnë mbeturina të rrezikshme. Tenderi pasoi pasi në muajin dhjetor të vitit të kaluar Qeveria njoftoi se do të sigurojë 12 milionë euro për pastrimin e mbeturinave historike, të cilat paraqesin rrezik për qytetin e Shkupin për më shumë se katër dekada.

Paratë do të shpërndahen gjatë 3 viteve për pastrimin dhe rehabilitimin e plotë të njërës prej tre deponive nga fabrika e mëparshme kimike, transmeton Portalb.mk . Që nga fillimi i projektit në vitin 2021 deri më tani nga deponia e vogël janë gërmuar dhe janë asgjësuar 1.969 ton lindan dhe 586 ton tokë e kontaminuar.

Për rehabilitimin e plotë të vendit mbeten rreth 916 ton mbetje HCH, 2.191 ton tokë e kontaminuar, 1.121 ton beton i kontaminuar, si dhe rreth 70 ton tokë e kontaminuar me merkur. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor informojnë se në mesin e muajit maj Zyra e OKB-së, UNOPS , shpalli tender ndërkombëtar për përzgjedhjen e një kontraktori për fazën përfundimtare të sanimit të deponisë së HCH në OHIS.

Deponitë e mbeturinave të rrezikshme janë rezultat i funksionimit të repartit të lindanit, i cili në fabrikë ka qenë në funksion nga viti 1964 deri në vitin 1977, kur u pezullua prodhimi për arsye ekologjike. Gjatë asaj periudhe janë prodhuar rreth 2.800 ton lindan, me ç’rast janë prodhuar rreth 25.000 ton izomerë joaktivë që janë shpërndarë në mënyrë joadekuate dhe që edhe sot paraqesin rrezik për kontaminimin e ajrit, ujit dhe tokës në Shkup.

Nga Shoqata Ndërkombëtare për Hulumtime mbi Kancerin lindani klasifikohet si kancerogjen i Grupit I me prova të mjaftueshme se shkakton limfomën Non-Hodgkin. Është një kimikalie e qëndrueshme që nuk zbërthehet në mjedisin jetësor për një periudhë të gjatë kohore.

Burim: Portalb, https://portalb.mk/me-tender-kerkohet-kompani-qe-do-ta-pastroje-lindanin-nga-deponia-e-vogel-ne-ohis/
— Redaksia ZHURMA

Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.

Vazhdo në dhomën live

Të gjitha →
  1. Temperaturat do të arrijnë 37°C në Maqedoni këtë javë
  2. Sa rrit Qeveria përfitime sociale me ribalancin e buxhetit?
  3. Pse u nënshkrua marrëveshja për heqjen e vizave për pasaportat diplomatike në Katar?
  4. Kur do të mbahet protesta masive për mbrojtjen e historisë së Tetovës?

Vazhdo leximin