Dalin në shitje biletat për ndeshjen Kosovë – Izrael
Federata e Futbollit të Kosovës ka bërë të ditur çmimet dhe nisjen e shitjes së biletave për ndeshjen e muajit nëntor.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 1 min lexim
Kombëtarja e Kosovës në futboll do të zhvillojë dy ndeshjet e fundit të ciklit kualifikues të Ligës B gjatë muajit nëntor, duke luajtur fillimisht në shtëpi kundër Izraelit dhe më pas në udhëtim ndaj Irlandës. Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar se biletat për këtë përballje, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”, tashmë janë në dispozicion për blerje.
Për sa i përket çmimeve, ato mbeten të njëjta: 20 euro për tribunat Veri dhe Jug, 30 euro për sektorin e Lindjes, 50 euro për Perëndimin, ndërsa bileta VIP kushton 150 euro. Me këto dy takime, “Dardanët” synojnë ta mbyllin ciklin kualifikues me rezultat sa më të mirë dhe të luftojnë për pozitën e dytë.
Në renditje, Kosova ka grumbulluar pesë pikë në Ligën B, duke u pozicionuar katër pikë më pak se Austria kryesuese dhe po aq sa Irlanda, kurse Izraeli ndodhet me dy pikë.