Çitaku: Historia e Kosovës s’mund të rishkruhet nga një aktgjykim
Vlora Çitaku ka kërkuar angazhim të përbashkët shtetëror për mbrojtjen e katër ish-krerëve të UÇK-së në gjashtëvjetorin e shkuarjes së tyre në Hagë.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kërkuar angazhim të përbashkët shtetëror në mbrojtje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Kjo thirrje është bërë në një postim me rastin e gjashtëvjetorit të shkuarjes së tyre në Hagë, ku ajo e ka cilësuar thellësisht të padrejtë aktgjykimin e shkallës së parë që përmban gjithsej 81 vjet burgim.
Sipas saj, vendimi bie ndesh me provat, standardet e një gjykimi të drejtë dhe të vërtetën historike. «Në këtë proces nuk janë vënë në pikëpyetje vetëm katër çlirimtarë. Është vënë në pikëpyetje vetë historia e UÇK-së dhe rruga e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë», ka shkruar Çitaku, duke shtuar se liria e vendit është rezultat i sakrificës së popullit dhe mbështetjes së ShBA-së, vendeve evropiane dhe NATO-s.
PDK-ja ka kërkuar tejkalimin e dallimeve partiake për hartimin e Strategjisë Shtetërore për procesin e apelit, forcimin e mbrojtjes juridike, mbështetjen financiare dhe intensifikimin e angazhimit diplomatik. Paralelisht po punohet për plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara për të krijuar mbështetje më të qëndrueshme juridike për çlirimtarët.