Çitaku: Çlirimtarët tanë nuk do t’i lëmë vetëm, hapat janë konkretë
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar një muaj pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë një reagim publik duke kujtuar se është bërë një muaj nga aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët u dënuan me 81 vite burgim. Sipas saj, ky vendim i shkallës së parë përbën një akt të padrejtë dhe një periudhë të rëndë si për të akuzuarit dhe familjet e tyre, ashtu edhe për gjithë ata që besojnë te drejtësia e luftës për liri.
Çitaku ka përmendur se protestat njëzetë e një ditore të mbajtura nga qytetarët shërbyen për të ngritur zërin kundër kësaj padrejtësie. Ajo theksoi se ajo që u projektua si goditje ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ktheu atë në qendër të vetëdijes kombëtare si vlerë të pakontestueshme që e bashkon Kosovën. Gjithashtu, ajo bëri të ditur se tashmë ekzistojnë hapa konkretë për mbështetjen e mbrojtjes së tyre në apel, me synimin për ta rrëzuar këtë aktgjykim, si dhe nisma për mbrojtjen e UÇK-së dhe të çlirimtarëve. Këto janë përgjegjësi që duhet t’i çojnë deri në fund me të gjitha kapacitetet shtetërore.