BIRN: Policia dështoi në kontrollin e territorit gjatë protestave
Ekspertët kritikojnë reagimin e Policisë së Shtetit ndaj revoltës studentore, ndërsa drejtori i përgjithshëm mbron operacionin.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
TIRANË — Protestat e studentëve dhe qytetarëve kanë hyrë në ditën e tyre të tretë të përshkallëzimit, duke u shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit. Këto tubime janë shoqëruar me përplasje fizike, përdorim të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, si dhe me sulme, zjarrvënie e plaçkitje ndaj bizneseve private dhe institucioneve publike. Sipas ekspertëve të sigurisë dhe ish-drejtuesve të lartë, përgjigja e uniformave blu ka qenë kontradiktore dhe e shoqëruar me mangësi të theksuara operacionale. Ata vlerësojnë se forcat e rendit kanë kaluar nga dhuna dhe përdorimi joproporcional i forcës te tërheqja nga terreni, duke lënë qendrën e kryeqytetit pa kontroll gjatë natës së dytë, e më pas te ndjekjet agresive në zonat e banuara.
Nga ana tjetër, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dalë në mbrojtje të veprimeve të efektivëve. Ai ka deklaruar se operacionet po zhvillohen sipas procedurave standarde dhe ka theksuar se në rrethana të tilla mungon e ashtuquajtura «e mesme e artë». Gjatë një komunikimi, Hita ka paralajmëruar gjithashtu se strukturat e policisë nuk do të tërhiqen, duke u bërë thirrje që vetëpërmbajtja e tyre të mos ngatërrohet me dobësinë.