Bilanci i ri i protestave: 51 policë të lënduar dhe 65 të shoqëruar
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë vizitoi në spital efektivët e lënduar gjatë tubimeve.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
TIRANË — Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, vizitoi punonjësit e policisë të dëmtuar gjatë tubimit. Gjatë vizitës, ai u uroi shërim të shpejtë, i falënderoi për profesionalizmin dhe përmbajtjen përballë sulmeve të pandërprera, si dhe i siguroi për mbështetjen e institucionit. Hita u informua nga stafi mjekësor se efektivët me lëndime më të rënda po marrin trajtimin e duhur në spital. Më parë, ngjarja ishte raportuar me shifra më të ulëta, ku u njoftua për 14 deri në 23 policë të lënduar dhe 35 të ndaluar.
Sipas autoriteteve, gjatë tubimit janë lënduar gjithsej 51 punonjës policie që ishin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike. Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar për veprime të mëtejshme 65 shtetas pjesëmarrës në tubim, të dyshuar për sulme ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve dhe pronës publike e private.