BIK: Të hiqen nga Kodi Civil dispozitat që cenojnë familjen tradicionale
Bashkësia Islame e Kosovës kërkon rishikimin e Projektkodit Civil para dërgimit në Kuvend për miratim.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në mbledhjen e kryesuar nga myftiu Naim Tërnava, ka trajtuar Projektkodin Civil që pritet të dërgohet në Kuvend për miratim, teksa u diskutua edhe për përgatitjet rreth aktiviteteve fetare. Kodi Civil kishte dështuar të miratohej në vitin 2022 për shkak të një neni që mundësonte ligj të posaçëm për regjistrimin e bashkësive civile mes personave me gjini të njëjtë.
Në një deklaratë të lëshuar pas takimit, BIK-u rikonfirmoi qëndrimin se nuk është kundër miratimit të këtij Kodi si nevojë e sistemit juridik, por kërkon që «pasi të rishikohen dhe të hiqen nga përmbajtja e tij dispozitat që cenojnë konceptin tradicional të familjes, natyrshmërinë njerëzore dhe parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar familja në shoqërinë tonë» të procedohet më tej.
Institucioneve përgjegjëse, përfshirë Qeverinë, Ministrinë e Drejtësisë dhe Kuvendin, u është bërë thirrje që t'i marrin parasysh këto shqetësime, ndërsa u njoftua se gjithashtu u diskutua për planifikimin e aktiviteteve për muajin e Ramazanit dhe mbarëvajtjen e jetës fetare.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar