Berisha: Çmimet e apartamenteve kanë arritur në 4 mijë euro
Kreu i Partisë Demokratike akuzon qeverinë për rritjen e çmimeve të pronave në vend.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë për rritjen e çmimeve të apartamenteve në Shqipëri. Gjatë një deklarate publike, ai pretendoi se çmimet e pronave janë bërë të papërballueshme për qytetarët pasi ndërtimet po përdoren për të investuar shuma të mëdha parash. «Pse ka shkuar 4000 tani? Sepse vagonët dhe kontejnerët e eurove dhe dollarëve të drogës investohen të gjithë kryesisht në kullat dhe ndërtimet në Shqipëri, resortet turistike dhe ndërtimet në Shqipëri», tha ndër të tjera Berisha, duke iu referuar edhe një rasti konkret të një miku të tij që nuk mundi të blinte një banesë pranë qendrës.
Sipas kryetarit të partisë opozitare, një pjesë e madhe e apartamenteve blihen dhe mbeten bosh, pasi qëllimi kryesor i investitorëve mbetet pastrimi i parave dhe shmangia e dëmtimit të tyre nën tokë. «Dhe ato mbeten bosh, i lënë aty se problemi i tyre madhor është të mos u kalben eurot nën tokë», u shpreh ai, duke shtuar se trafikantët përdorin kryesisht kartëmonedha pesëqindëshe.