Bajrami: Kemi rrëshqitur në parti-shtet, buxheti kaloi filtrin në VV
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka kritikuar Qeverisjen për shkeljen e afateve ligjore të buxhetit.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se Qeveria ka shkelur afatet ligjore për dorëzimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit 2027 në Kuvend. Sipas saj, megjithëse Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë e obligon ekzekutivin që projektligjin t'ia dorëzojë Kuvendit jo më vonë se më 31 tetor, kjo datë ka kaluar pa u miratuar dokumenti në Qeveri.
Bajrami ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka vendosur që me mburrje të shkelë afatin ligjor, duke shtuar se buxheti i Republikës ka kaluar fillimisht filtrin e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo theksoi se për kreun e ekzekutivit partia përcakton rendin e gjërave dhe se nuk pyet për ligj e afate, ndërsa njoftoi se Kurti ka paralajmëruar miratimin e buxhetit për të hënën, më 2 nëntor.
Gjithashtu, deputetja opozitare ka vlerësuar se qytetarëve nuk u duhen shifra në letër apo miliarda në konferenca, por rezultate konkrete në rrugë, shkolla dhe spitale, si dhe respektim i ligjit nga krerët e shtetit.