Kush luajti për Marokun?
Mesfushori 18-vjeçar do të përballet me vendin ku u rrit dhe do të luajë kundër Francës në çerekfinalen e Kupës së Botës
— Ayyoub Bouaddi, i lindur në Senlis, rreth një orë në veri të Parisit, ka përfaqësuar Francën në të gjitha grupmoshat e mundshme dhe në moshën 17-vjeçare ishte kapiten i ekipit U21 të Francës. Ëndrra e tij ishte të luante për kampionët e botës të vitit 2018. Ai luaj për Lillin dhe debutoi si profesionist në moshën 16-vjeçare, ndërsa drejtoi mesfushën kundër Real Madridit në Ligën e Kampionëve në ditëlindjen e tij të 17-të, në tetor 2024. Disa muaj më parë ai refuzoi një ftesë nga Maroku për Kupën e Kombeve të Afrikës, pavarësisht përpjekjeve të ish-trajnerit Walid Regragui për ta bindur të zgjidhte vendin e prindërve të tij.
Didier Deschamps e kishte ndjekur prej kohësh Bouaddin, por konkurrenca në mesfushën e Francës ishte jashtëzakonisht e madhe. Trajneri francez zgjodhi emra si N'Golo Kanté, Warren Zaïre-Emery, Manu Koné, Adrien Rabiot dhe Aurélien Tchouaméni. Asistenti Guy Stéphan deklaroi: “Në mesfushë kemi shumë talente dhe Didier nuk dëshiron të bllokojë askënd. Nëse ju pyes se cilin lojtar do të hiqnit për t’i bërë vend Bouaddit, nuk jam i sigurt se do të merrnit të njëjtën përgjigje”.
Zinedine Zidane, i cili pritet të marrë drejtimin e Francës pas Kupës së Botës, tentoi të komunikonte me Bouaddin. Sipas burimeve të ESPN, Zidane e telefonoi talentin disa javë më parë dhe i shprehu vlerësimin për aftësitë e tij, por ishte i sinqertë: nuk mund t’i premtonte një vend në kombëtaren franceze. Deschamps kishte thënë më herët: “Bouaddi ka lirinë të zgjedhë se për cilin vend dëshiron të luajë. Nuk kam folur me të, nuk është kjo mënyra si veproj unë. Një lojtar thirret në kombëtare vetëm kur është momenti i duhur dhe kur besohet se mund të ndihmojë ekipin”.
Në anën tjetër, Maroku ishte shumë më i qartë në planin e tij. Trajneri Mohamed Ouahbi i garantoi Bouaddit një rol të rëndësishëm dhe një vend në Kupën e Botës 2026, duke i premtuar se do të ishte pjesë e formacionit dhe e projektit të ri të “Luanëve të Atlasit”. Kjo ishte ajo që i duhej 18-vjeçarit për të marrë vendimin. Ashtu si disa lojtarë të tjerë të lindur në Francë, por me origjinë marokene, Bouaddi zgjodhi të përfaqësojë vendin e prindërve të tij. Gjashtë muaj më vonë, ai vendosi se nuk donte të priste më gjatë për mundësinë e tij në nivelet më të larta të futbollit ndërkombëtar dhe nuk dëshironte ta humbiste Kupën e Botës 2026.
Franca vjen në këtë sfidë si një nga favoritët kryesorë të turneut. “Les Bleus” kanë treguar forcë dhe vazhdueshmëri, ndërsa treshja sulmuese e përbërë nga Kylian Mbappé, Ousmane Dembélé dhe Michael Olise ka qenë vendimtare. Por përballë tyre do të jetë një Marok i motivuar, me një brez të ri lojtarësh dhe me një Ayyoub Bouaddi që kërkon të dëshmojë se zgjedhja e tij ishte e duhura.
Për talentin 18-vjeçar, kjo nuk do të jetë vetëm një çerekfinale e Kupës së Botës në Boston. Do të jetë një përballje me të kaluarën e tij dhe një mundësi për të shkruar një kapitull të ri në historinë e karrierës së tij.
Burim: Telegrafi, https://telegrafi.com/deschamps-e-ndoqi-zidane-e-telefonoi-por-bouaddi-zgjodhi-marokun-tani-perballet-me-vendin-ku-u-rrit/
— Redaksia ZHURMA
Të ngjashme
sipas temës · #sportMë të lexuarat sot
Top 10Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.