Karabinierët zbulojnë laborator kokaine në Latina — 5 të arrestuar
Në operacionin e zhvilluar në Latina u sekuestruan mbi tetë mijë euro cash dhe u zbulua një rafineri e fshehur mes bimësisë së dendur.
LATINA — Karabinierët italianë kanë arrestuar pesë persona, mes të cilëve edhe një shqiptar, pas zbulimit të një laboratori kokaine në një vilë në Latina. Gjatë këtij operacioni policor, autoritetet kanë sekuestruar një sasi të konsiderueshme prej 28 kilogramësh lëndë narkotike të llojit kokainë.
Aksioni i parë i forcave të rendit nisi me kontrollin e një banese që ndodhej në rrugën Pennacchi. Në këtë ambient, karabinierët gjetën 18 pako që përmbanin rreth 18.2 kilogramë kokainë, 8,810 euro para të gatshme, një makinë për numërimin e parave dhe orë luksoze.
Përveç parave dhe drogës, policia sekuestroi gjashtë telefona inteligjentë, një laptop dhe fletë të shkruara me dorë me llogaritë e aktivitetit. Hetuesit gjetën gjithashtu një pistoletë me ajër të kompresuar, një shkop teleskopik si dhe një pajisje elektroshoku të përdorura nga grupi.
Kontrollet e mëtejshme në hapësirat e jashtme të pronës çuan në një zbulim tjetër. Të fshehur mes bimësisë së dendur, karabinierët zbuluan strukturën e rafinerisë. Brenda saj gjendej laboratori i pajisur me peshore, sita, furra me mikrovalë, makina vakumi dhe presa për paketime.
Në këtë laborator u gjetën dy kova plastike që përmbanin përkatësisht 4.8 dhe 4 kilogramë kokainë në fazë rafinimi. Gjithashtu u sekuestrua një sasi e madhe substancash përzierëse dhe 27 thasë me pelet prej 15 kilogramësh secili, që dyshohet se përmbanin lëndë narkotike.
Karabinierët zbuluan edhe enë me tretës kimikë të përdorura për nxjerrjen e drogës nga peleti. Për të përcaktuar sasinë e saktë, personeli i specializuar i karabinierëve të laboratorit RIS të Romës kreu kontrolle të hollësishme mbi mbetjet dhe të gjitha pajisjet e sekuestruara.
Operacioni përfundoi me prangosjen e pesë personave të kapur brenda vilës. Përveç shqiptarit, në pranga ranë edhe dy italianë, një holandez dhe një kolumbian. Të gjithë këta persona tashmë akuzohen nga autoritetet për trafikim dhe prodhim në shkallë të gjerë të drogës.
Burim: Lapsi.al
— Redaksia ZHURMA




