← Shqipëri
Live · Shqipëri · 02:54 · 19 Korrik 2026

Çfarë është arsyeja e dobësisë së aftësive digjitale në Shqipëri?

Pak më shumë se gjysma e të rriturve shqiptarë nuk zotërojnë aftësi bazë digjitale, sipas OECD-s

— Në epokën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ku çdo aspekt i jetës është i ndërlidhur me mjetet digjitale, “digital literacy” (aftësia digjitale) ka marrë rëndësi të veçantë në zhvillimin personal dhe shoqëror. Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera në rajon, po përballet me sfida dhe mundësi të reja për të përmirësuar nivelin e aftësive digjitale te popullsia e saj, veçanërisht mes të rinjve dhe punonjësve.

Ekspozimi i lartë i të rinjve ndaj teknologjisë krijon shpesh një perceptim të rremë të kompetencës. Përdorimi intensiv i smartphone, i rrjeteve sociale dhe platformave video krijon familjaritet me pajisjen, por jo domosdoshmërisht me aftësitë që kërkon ekonomia digjitale: kërkimi kritik i informacionit, siguria kibernetike, përdorimi i të dhënave, automatizimi i proceseve, logjika algoritmike apo bashkëpunimi në mjedise cloud.

Sipas pedagogu dhe eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, transformimi digjital nuk është më një çështje teknologjie, por një faktor që përcakton produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe ritmin e zhvillimit ekonomik. Vendet që arrijnë të ndërtojnë kapital njerëzor me aftësi të avancuara digjitale do të jenë edhe ekonomitë që do të tërheqin investime, do të krijojnë profesione të reja dhe do të prodhojnë më shumë vlerë të shtuar.

Por, siç thekson Blerina Guga, Drejtore Ekzekutive e Junior Achievement Albania, ekziston ende një keqkuptim i madh mbi vetë kuptimin e aftësive digjitale. “Shpesh mendojmë se ato lidhen vetëm me përdorimin e telefonit apo kompjuterit. Në fakt, të jesh një qytetar me aftësi digjitale do të thotë të dish të komunikosh, të mësosh, të analizosh informacionin, të mendosh në mënyrë kritike dhe të përdorësh teknologjinë për të krijuar vlerë.”

Nga puna me mijëra nxënës në të gjithë vendin, ajo vëren se të rinjtë shqiptarë nuk janë pas bashkëmoshatarëve të tyre europianë në përdorimin e teknologjisë. “Nuk shohim diferenca të mëdha me të rinjtë në Europë. Sfida nuk është përdorimi i teknologjisë, por aftësia për të përzgjedhur informacionin e duhur dhe për ta përdorur atë në mënyrë produktive.”

Për znj. Guga, koha e kaluar online nuk përkthehet automatikisht në kompetencë digjitale. “Ekziston një ndryshim i madh mes konsumimit të teknologjisë dhe përdorimit të saj për të krijuar, për të mësuar apo për të zhvilluar ide të reja.” Ky dallim po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për ekonominë shqiptare.

Burim: Monitor, https://monitor.al/ndertimi-i-nje-brezi-digjital-a-po-i-dembelos-apo-po-i-nxit-te-rinjte-shqiptare/
— Redaksia ZHURMA

Reklamë · nga shtëpia
ZhurmaStudio
Përmbajtje, rrjete sociale, ueb dhe AI — nga ekipi që bën këtë faqe.
Njihu me Studion →
Lidhje nga arkiva

Të ngjashme

sipas temës · #shqiperi

Më të lexuarat sot

Top 10
Si ju la ky artikull?

Bisedoni

Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr për me e thanë mendimin.

Vure re një gabim në këtë artikull? Na shkruaj te zhurmapress@gmail.com — përgjigjemi brenda 72 orëve. · Standardet §6

Zbulo Zhurmën