Ademi: Ministria refuzoi propozimin e studentëve për provimin në shqip
Përfaqësuesi i Lëvizjes Studentore shpalos detajet e kompromisit të refuzuar nga ministria për provimin në gjuhën shqipe.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Mevlan Ademi nga Lëvizja Studentore ka deklaruar se synimi i tyre mbetet një provim i mbështetur te Kushtetuta, Ligji dhe realiteti demografik. I ftuar në emisionin «Debat në Shenja», ai theksoi se Lëvizja Studentore do të vazhdojë me qëndrimet e saj të hershme, pavarësisht përpjekjeve për të gjetur një kompromis që u kundërshtua gjatë takimeve.
Sipas Ademit, kërkesa fillestare përfshinte një provim 100 për qind në gjuhën shqipe. Gjatë diskutimeve, studentët ofruan që materialet e procedurave gjyqësore të mbeteshin në gjuhën maqedonase ndërsa përgjigjet dhe aktvendimi të jepeshin në gjuhën amtare, ofertë e cila u refuzua nga ministria me arsyetimin se procedurat zhvillohen në gjuhën maqedonase. Përfaqësuesi i studentëve shtoi se nuk morën përgjigje se ku konsiston kundërshtimi ligjor në këtë mes.
Lidhur me paralajmërimet për dërgimin e ligjit në Komisionin e Venecias, Ademi theksoi se ata nuk e kanë parë ende propozim-ligjin dhe nuk e dinë saktësisht përbërjen e grupit punues, përveç pranisë së zotëri Shasivarit, pasi u është komunikuar se dokumenti nuk është gati.