Abissnet Superiore, java e tretë e ndarë në tri ditë
Kampionati shqiptar i futbollit vijon me takimet e javës së tretë, të cilat do të shtrihen përgjatë tri ditëve me pesë ndeshje interesante.
Kampionati i futbollit “Abissnet Superiore” bëhet gati për ndeshjet e radhës, teksa java e tretë e këtij edicioni është përcaktuar të luhet e ndarë në tri ditë kalendarike. Ndeshja hapëse do të verifikohet më 4 shtator, ku Egnatia dhe Skënderbeu do të maten forcat në stadiumin “Arena Egnatia” duke filluar nga ora 18:30.
Kalendari do të vijojë gjatë ditës së nesërme me dy përballje të tjera. KF Laçi do të presë në shtëpinë e vet skuadrën e Teutës në orën 16:00, ndërsa Partizani do të udhëtojë drejt qytetit të Shkodrës për t'u ndeshur me Vllazninë në stadiumin “Loro Boriçi”, me fillim nga ora 18:30.
Sfidat e fundit të kësaj jave janë caktuar të zhvillohen më 6 shtator. Tirana do të presë FK Vorën në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 16:00. Ndërkohë, java e tretë do të mbyllet me takimin ndërmjet Dinamo City dhe AF Elbasani, i cili do të luhet në “Elbasan Arena” në orën 18:30.