735 pedagogë e akademikë kërkojnë dorëheqjen e Ramës
Komuniteti akademik në Shqipëri ka nënshkruar një deklaratë me pesë pika, duke kërkuar largimin e kryeministrit dhe ndalimin e dhunës ndaj studentëve.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Një grup prej 735 pedagogësh dhe akademikësh i janë bashkuar zyrtarisht revoltës në Tiranë, duke firmosur një deklaratë të iniciuar nga Forumi për Dialog Politik. Në dokumentin me pesë pika, ata kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe formimin e një qeverie kujdestare për të siguruar stabilitetin institucional.
Deklarata përfshin gjithashtu thirrje drejtuar Policisë së Shtetit për të ndalur aktet e dhunës ndaj rinisë dhe për të refuzuar urdhrat e paligjshëm. Akademikët u kërkojnë përfaqësive diplomatike në Tiranë të ndërhyjnë publikisht, ndërsa qytetarëve u bëhen thirrje të bëhen mburojë për të rinjtë dhe të mbrojnë pronën publike e private.