271 persona përfundojnë në pranga pas protestave në Milano
Policia italiane ka ndaluar 271 të rinj pas trazirave në Milano, ku protestuesit kanë plaçkitur dyqane dhe djegur kontejnerë.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Policia italiane ka ndaluar 271 të rinj pas trazirave në Milano, që shënuan ditën e dytë të protestave kundër shërbimeve publike dhe kostos së jetesës. Autoritetet thanë se protestuesit u përplasën me policinë, plaçkitën dyqane dhe dëmtuan prona.
Në mesin e të shoqëruarve në stacione policore, 32 persona u arrestuan, përfshirë 23 të mitur dhe 13 shtetas të huaj. Një tjetër grup prej 28 personash u referua autoriteteve gjyqësore, sipas Reuters.
Protestuesit dogjën kontejnerë dhe plaçkitën dyqane sportive si Decathlon dhe Arc’teryx, si dhe një dyqan të Vodafone. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Trazirat vazhduan edhe në qytete të tjera veriore, përfshirë Bolonjën, Breshian, Bergamon dhe Torinon, ku u arrestuan 28 protestues të shtunën. Pakënaqësi të ngjashme u shfaqën në Francë, ku të shtunën u mbajtën protesta të dhunshme.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dënoi dhunën dhe tha se qeveria do të mblidhet të hënën për të diskutuar trajtimin e situatës.