116 forca bllokojnë zjarrin mes Lekasit dhe Voskopojës, shpëtojnë Peltekun
Flakët u bllokuan në krahun e Voskopojës; forcat vijojnë punën për të neutralizuar të gjitha vatrat.
KORÇË — Zjarri përfshiu barishte, shkurre dhe pisha në zonën midis fshatit Lekas dhe Voskopojës, në Bashkinë Korçë. Sipas Prefekturës së Qarkut Korçë, gjatë ditës së sotme janë angazhuar 116 forca dhe 18 mjete, nga Njësitë Administrative Bulgarec, Drenovë, Mollaj, Voskopojë dhe Lekas, Shërbimi Pyjor, Bashkia Korçë dhe Qendra e Menaxhimit të Krizave.
Bashkitë Devoll dhe Pustec kanë vënë në dispozicion mjete "pick-up" për transportin e efektivëve në terren. Sipas autoriteteve, ndërhyrja ka dhënë rezultat në krahun e Voskopojës, ku është arritur të bllokohet avancimi i flakëve, duke parandaluar përhapjen e zjarrit drejt zonës së Peltekut.
Aktualisht, forcat vijojnë punën për neutralizimin e plotë të vatrave të zjarrit, ndërsa situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Prefektura e Qarkut Korçë bën të ditur se do të informojë publikun për çdo zhvillim të mëtejshëm lidhur me ecurinë e operacionit.
Burim: Euronews Albania
— Redaksia ZHURMA