10 për qind e buxhetit të Fondit Shëndetësor shkon për pushimet mjekësore
Drejtori i ri Zllatko Perinski paralajmëron kontroll më të ashpër; në listë ka edhe persona mbi 5 vjet me pushim mjekësor.
SHKUP — 10 për qind e buxhetit të Fondit të Sigurimit Shëndetësor shkon për pushimet mjekësore. Drejtori i ri i fondit, Zllatko Perinski, paralajmëron ndërrimin e sistemit të kontrollit dhe kontroll më të ashpër, me qëllim parandalimin e keqpërdorimit të këtij mekanizmi.
Gjatë një komunikimi joformal me gazetarët, Perinski tha se nuk përjashtohet mundësia e ndryshimit edhe të afateve për pushime mjekësore. Ai nënvizoi se mekanizmi është keqpërdorur aq shumë, sa në listë ka edhe persona që shkojnë nëpër pushime mjekësore për më shumë se 5 vjet.
Me të njëjtin problem ballafaqohen edhe mjekimet jashtë vendit, ku po ashtu planifikohet vendosja e një sistemi të ri kontrolli. Një ditë më parë u formua një ekip prej 5 personash, përfaqësues të institucioneve relevante, që do të merren me gjetjen e zgjidhjes më të përshtatshme. Vetëm mjekimet jashtë vendit fondit i kushtojnë rreth 500 milionë denarë në vit.
Fondi ka shpenzime të mëdha edhe për shkak të mungesës së digjitalizimit dhe të komunikimit të sistemeve IT mes sektorëve. Për shërbime të njëjta, vetëm për shkak të mungesës së komunikimit, fondi detyrohet të paguajë nga 2 herë, ndërsa në agjendë mbeten edhe keqpërdorimet me mjetet ndihmëse ortopedike.
Burim: Alsat-M
— Redaksia ZHURMA




