Zjarri në Lazarat i afrohet shtëpive — zjarrfikësit e ndalin para banesave
Zjarrfikësit e vunë nën kontroll; dyshohet se shkaku ishte bashkimi i telave elektrikë nga era e fortë.
GJIROKASTËR — Një vatër e madhe zjarri u raportua sot në fshatin Lazarat. Zjarri përhapej në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe bar, ndërsa era e fortë e shtyu drejt banesave. Menjëherë pas njoftimit, grupi zjarrfikës mbërriti në vendngjarje dhe konstatoi se zjarri, i favorizuar nga era, rrezikonte përhapjen në drejtim të shtëpive të banorëve.
Ndërhyrja e shpejtë e shërbimit zjarrfikës bëri të mundur izolimin dhe shuarjen e zjarrit, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme në drejtim të shtëpive. Falë kësaj ndërhyrjeje të shpejtë, nuk u raportuan dëme në banesa apo ndonjë dëm material tjetër.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë bashkimi i telave elektrikë si pasojë e erës së fortë.
Burim: Almakos
— Redaksia ZHURMA