Shqiptarja humb jetën në Itali, e përplasur nga kamioni teksa shoqëronte vajzën
Lavdije Istrefi, nënë e tre fëmijëve, ndërroi jetë në San Donà di Piave pasi u përplas nga një kamion plehrash.
Një grua shqiptare, Lavdije Istrefi, ka humbur jetën në një aksident në San Donà di Piave, pranë Venedikut. Ajo po shoqëronte vajzën e saj 9-vjeçare për në shkollë kur u përplas nga një mjet për grumbullimin e mbetjeve. Ngjarja ndodhi në një kryqëzim pranë rrugës “Via Paolo VI”.
Dyshohet se kamioni po kthehej djathtas dhe fushëpamja e kufizuar nga pasqyrat retrovizore mund të ketë shkaktuar përplasjen fatale. Vajza e viktimës kishte arritur të kalonte rrugën dhe nuk pësoi dëmtime fizike, por është në gjendje të rëndë shoku pasi dëshmoi ngjarjen.
Shërbimet e emergjencës dhe zjarrfikësit ndërhynë në vendngjarje, duke përdorur pajisje të posaçme për të nxjerrë trupin e pajetë nga nën rrotat e mjetit. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar përgjegjësinë e drejtuesit të kamionit. Shkolla e vajzës së viktimës pezulloi mësimin për ditën.