Si po përgatitet Shqipëria për dy kapituj të BE-së?
Çfarë reformash ligjore dhe institucionale kërkon Bashkimi Evropian në fushën e pronësisë intelektuale dhe politikave industriale?
TIRANË — Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi sot seancë dëgjimore mbi ecurinë e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian për Kapitullin 7 “E drejta e pronësisë intelektuale” dhe Kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe politikat industriale”.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo, i pranishëm në mbledhje, raportoi si negociator përgjegjës për të dy kapitujt.
“Bashkimi Evropian ka vlerësuar nivelin e lartë të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis communautaire”, tha Kajo, duke shtuar se Shqipëria disponon tashmë bazën e nevojshme institucionale dhe administrative. Por kërkesa e BE-së, shtoi ai, është forcimi i mëtejshëm i këtyre strukturave drejt një funksionimi më efikas dhe rritjes së kapaciteteve administrative. Gjithashtu, në fushën e të drejtës së autorit, BE kërkon përfundimin e përafrimit të legjislacionit dhe garantimin e zbatimit efektiv në praktikë.
Kapitulli 7 shoqërohet me tre piketa mbyllëse: përshtatja e plotë e legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së në të gjitha fushat e pronësisë intelektuale, harmonizimi i ligjeve për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to, dhe garantimi i kapaciteteve administrative, institucionale dhe mekanizmave të drejtësisë civile për zbatimin.
Duke u ndalur te reformat ligjore, zëvendësministri theksoi se ligji i ri për pronësinë industriale rregullon të drejtat për markat tregtare, patentat dhe sekretin tregtar. Ligji i ri për markat, në fuqi që nga 2025, është plotësisht i përafruar me legjislacionin europian dhe ka sjellë procedura më të thjeshtuara e të digjitalizuara për regjistrimin, mbrojtje më të fortë për pronarët e të drejtave dhe garanci më të mëdha për konsumatorët. Po ashtu, projektligji për patentat dhe certifikatat afrojnë më tej Shqipërinë me praktikat europiane.
Një tjetër reformë është projektligji për dizajnet industriale, i hartuar në përputhje me legjislacionin e BE-së, që synon të mbështesë veçanërisht dizajnerët dhe sipërmarrjet e vogla. Projektligji për treguesit gjeografikë, i cili kalon nga 4 në 89 nene, krijon më shumë mundësi për promovimin dhe mbrojtjen e produkteve shqiptare në përputhje me standardet europiane. Kajo informoi edhe për projektligjin për të drejtat e autorit, të cilin e cilësoi si një akt gjithëpërfshirës dhe plotësisht të përshtatur me legjislacionin e BE-së, që synon forcimin e mbrojtjes së krijuesve dhe të industrive kulturore.
Për Kapitullin 20, Kajo paraqiti Strategjinë Kombëtare të Industrisë, e cila synon transformimin e modelit të zhvillimit ekonomik. Katër shtylla kryesore: transferimin e sistemeve të prodhimit drejt industrive me bazë teknologjike, integrimin e ndërmarrjeve për rritjen e eksporteve, ndërtimin e qendrave shkencore-industriale në bashkëpunim me universitetet dhe krijimin e mekanizmave për monitorimin dhe zhvillimin e sektorit industrial.
Kajo theksoi se politikat e reja synojnë forcimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes investimeve, digjitalizimit dhe tranzicionit drejt ekonomisë së gjelbër. “Banka e Zhvillimit do të ndihmojë ndërmarrjet në investimet për teknologji, modernizimin e proceseve të prodhimit dhe rritjen e standardeve sipas kërkesave të Bashkimit Evropian. Mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme mbetet një nga prioritetet kryesore të politikave ekonomike, duke garantuar akses më të lehtë në financim dhe instrumente mbështetëse për rritjen e konkurrueshmërisë”, theksoi Kajo.
Zëvendësministri bëri të ditur se Strategjia Kombëtare e Industrisë dhe Strategjia për Mbështetjen e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme ndodhen aktualisht në fazën e konsultimit publik.
Burim: ATSH
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.