Ku rrezikojnë të mbyllen klasat në gjuhën shqipe në Shkup?
Mësimdhënësit e shkollës profesionale “Boro Petrushevski” alarmojnë për numrin e ulët të nxënësve dhe rrezikun e humbjes së vendeve të punës.
— Në shkollën e mesme profesionale “Boro Petrushevski” në Shkup, disa paralele në gjuhën shqipe rrezikojnë të mbyllen për shkak të numrit të ulët të nxënësve. Edhe pse institucionet deklarojnë rritje të interesit për arsimin profesional, realiteti në terren tregon një tendencë tjetër, ku regjistrimet mbeten nën pritshmëritë e paraqitura.
Nga 200 nxënës që parashihej të regjistroheshin, në dy afatet e para janë regjistruar vetëm 164. Problemi më kritik shfaqet te drejtimet e komunikacionit, konkretisht në profilet “Komunikacion rrugor” dhe “Shpedicion”, ku janë regjistruar vetëm 8 nxënës, numër që nuk plotëson pragun e lejuar nga Ministria e Arsimit.
Kastriot Kasapi, mësimdhënës në këtë shkollë, shpjegon se sipas vendimeve të ministrisë, një klasë duhet të ketë të paktën 12 nxënës për të mbijetuar. Pa një ndryshim të këtij vendimi ose një mirëkuptim nga institucionet, rrezikohet zhdukja e gati tri paraleleve, gjë që do të çojë në eliminimin e fondit të orëve për mësimdhënësit.
Kjo situatë krijon një rrezik të drejtpërdrejtë për humbjen e vendeve të punës, jo vetëm për profesorët e lëndëve profesionale, por edhe për ata të lëndëve të përgjithshme si historia, anglishtja, matematika dhe gjuha shqipe. Kasapi thekson se të gjithë stafi është i rrezikuar tej mase nëse paralelet mbyllen.
Drejtori i shkollës, Aleksandar Strezov, vëren se nxënësit po tërhiqen më shumë nga drejtimi i makinerisë dhe profilet katërvjeçare. Ai kërkon më shumë mbështetje financiare nga shteti, duke theksuar nevojën për investime në laboratorë, proces që aktualisht përpiqet të realizohet përmes bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit dhe sponsorë të privatë.
Afati i fundit për regjistrimet është 20 gushti, por në këtë fazë kanë të drejtë vetëm semimaturantët me riprovime. Shpëtimi i këtyre paraleleve mbetet tashmë në dorë të Ministrisë së Arsimit, nëse ajo vendos të ulë pragun minimal të numrit të nxënësve për klasë.
Burim: Alsat-M
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.