Sezoni i zjarreve lë pas dhjetëra mijëra hektarë të djegur dhe dëme miliona euro
Sezoni i zjarreve ka shkaktuar dëme të mëdha në Maqedoni, ndërsa autoritetet raportojnë për dhjetëra persona të ndaluar nën dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Sezoni i zjarreve këtë vit ka lënë pas vetës dhjetëra mijëra hektarë sipërfaqe të djegur, dëme që llogariten në miliona euro dhe dhjetëra raste nën hetim për zjarrvënie të qëllimshme. Sipas të dhënave të publikuara, në vitin 2026 janë evidentuar rreth 41 mijë hektarë sipërfaqe të djegura, duke shkaktuar një bilanc tejet shkatërrues për mjedisin dhe pasuritë natyrore.
Ndërmarrja Publike Pyjet Kombëtare ka regjistruar 138 zjarre në zona pyjore deri në fund të korrikut, ndërsa dëmet vetëm deri në atë periudhë vlerësoheshin në më shumë se 4 milionë euro. Sezoni i zjarreve ka vazhduar edhe në muajin gusht, ndërsa dëmet e plota ende nuk janë llogaritur plotësisht pasi zjarre janë shënuar edhe në muajin shtator për shkak të temperaturave të larta të regjistruara gjatë kësaj periudhe.
Kire Mihailov, zëvendësdrejtor i Ndërmarrjes Publike Pyjet Kombëtare, ka deklaruar se deri në muajin e shtatë dëmi ka kaluar mbi katër milionë euro, duke mos llogaritur këtu edhe zjarret e mëdha që nuk janë përfshirë në këtë llogaritje paraprake, siç ishte rasti i zjarrit në Kitkë, i cili cilësohet si një nga zjarret më të mëdhenj gjatë këtij viti. Po ashtu, ai ka shtuar se deri në muajin shtator numri i zjarreve do të arrinte deri në 150, duke mbyllur kështu vitin me këtë shifër të regjistruar.
Lidhur me aspektin e sigurisë dhe hetuesisë, autoritetet policore kanë ndaluar dhjetëra persona si të dyshuar për veprën e zjarrvënies së qëllimshme. Sipas informacioneve zyrtare, deri në fund të gushtit më shumë se 30 persona në vitin 2026 janë ndaluar nga policia nën dyshimin se janë piromanë, ndërsa procedurat përkatëse vijojnë tutje pranë organeve të drejtësisë.