RrGGK: Dënohet fushata denigruese ndaj aktivistes Leonida Molliqaj
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës ka reaguar ndaj sulmeve dhe gjuhës fyese në rrjetet sociale ndaj drejtores ekzekutive të QIKA-s.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës ka reaguar përmes një njoftimi ku dënon ashpër fushatën denigruese, gjuhën fyese dhe urrejtjenxitëse në rrjetet sociale ndaj Leonida Molliqajt, e cila mban pozitën e drejtores ekzekutive të QIKA-s dhe është anëtare e Bordit Këshillëdhënës të këtij rrjeti. Sipas reagimit, ky sulm ndaj aktivistes po ndodh për shkak të angazhimit të saj në protestat e organizuara pas vrasjes së Arlinda Zekajt, si dhe për shkak të qëndrimeve të shprehura gjatë paraqitjeve publike.
Organizata vlerëson se përpjekjet për të politizuar dhe diskredituar angazhimin feminist e qytetar të Molliqajt përbëjnë veprim të papranueshëm, duke i quajtur përpjekje për t'i atribuar motive politike të drejtës për protestë dhe kërkimit të llogaridhënies institucionale. Aktivizmi për të drejtat e grave dhe kundërshtimi i dhunës me bazë gjinore nuk duhet të shërbejnë kurrë si shkas për fyerje dhe nxitje urrejtjeje personale.
«Është veçanërisht shqetësuese që, në një kohë kur po protestohet kundër dhunës ndaj grave dhe dështimeve institucionale për t’i mbrojtur ato, hapësira publike po përdoret për të sulmuar pikërisht gratë që po kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie», thuhet ndër të tjera në reagim, ku theksohet gjithashtu se synimi i këtyre fushatave është frikësimi dhe dekurajimi i grave nga pjesëmarrja në debatin publik.
Duke shprehur solidaritet të plotë me Leonida Molliqajn dhe gratë e tjera që përballen me sulme për shkak të punës së tyre publike, RrGGK u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë të drejtën e shprehjes dhe të protestës. «Gratë që e ngritin zërin kundër dhunës nuk duhet të përballen me një formë tjetër dhune për shkak se refuzojnë të heshtin», përfundon thirrja e organizatës.