Pse mbi 1.2 milionë kosovarë refuzuan të dalin në votime?
Mbi 1.2 milionë qytetarë bojkotojnë zgjedhjet e 7 qershorit duke shënuar daljen më të ulët historike, ndërsa fajësojnë politikanët për lodhje e zhgënjim.
PRISHTINË — Mbi 1.2 milionë qytetarë të Kosovës refuzuan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit. Nga 44.99 për qind sa ishte pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit më 28 dhjetor të vitit 2025, tash vetëm 36.88 për qind kanë vendosur për ulëset në Kuvend.
Të dhënat zyrtare tregojnë se nga 2.092.174 shtetas me të drejtë vote, 1.959.962 patën mundësi të votojnë brenda komunave. Megjithatë, vetëm 712.148 prej tyre e shfrytëzuan këtë të drejtë, duke sjellë daljen më të ulët krahasuar me dy palë zgjedhjet e vitit 2025.
Sipas vëzhguesve të zhvillimeve politike, ky bojkot masiv përçon një mesazh të qartë drejtuar të gjitha partive. Qytetarët po kërkojnë një qeverisje më efikase dhe kompromis mes subjekteve politike. Ndërkohë, vetë qytetarët e pyetur shprehin zhgënjim të thellë me udhëheqësinë aktuale dhe zgjedhjet e shpeshta.
Qytetari Beqir Leftaj deklaron se shkaktari kryesor i kësaj apatie është përsëritja e shpeshtë e proceseve zgjedhore brenda një kohe të shkurtër. Sipas tij, këto zgjedhje të shpeshta kanë qenë krejtësisht të paarsyeshme dhe për këtë situatë përgjegjësia dhe faji u mbetet politikanëve.
Për Ilaz Azemin, lodhja dhe humbja e besimit janë arsyet kryesore pse dia zgjodhi të mos votojë këtë radhë. Azemi thekson se populli po mban barrën e mosmarrëveshjeve mes liderëve, të cilët premtojnë shumë por nuk merren fare me varfërinë me të cilën ballafaqohen qytetarët.
Zhgënjimi po ashtu ndërlidhet me ngërçin politik sipas Lulzim Bajraktarit, i cili thotë se kjo është hera e tretë apo e katërt që vendi shkon në zgjedhje që kur Albin Kurti u bë kryeministër. Ai kritikon liderët që nuk ulen të bisedojnë për interesat e popullit.
Në anën tjetër, Gëzim Camaj e sheh këtë rënie të pjesëmarrjes si një afrim me trendet evropiane, ku shtetet mund të funksionojnë edhe pa pasur qeveri aktive. Megjithatë, ky bojkot tregon se shumica e qytetarëve po distancohen nga proceset e stërzgjatura politike në vend.
Burim: RTV21
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.