Rama thotë se mund të jetë mik edhe me Mickoskin edhe me shqiptarët
Kryeministri i Shqipërisë deklaron se miqësitë ndërshtetërore përbëjnë vlerë të shtuar dhe nuk përjashtojnë njëra-tjetrën.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se mund të ruajë marrëdhënie miqësore njëkohësisht me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristjan Mickoski, dhe me shqiptarët në këtë shtet. Gjatë një prononcimi, ku u pyet nëse parapëlqen lidhjen e miqësive me krerët e qeverive sesa me bashkëkombësit, ai e cilësoi një ide të tillë si skandaloze.
Sipas shefit të ekzekutivit shqiptar, Maqedonia e Veriut funksionon si «shtet sovran ku shqiptarët janë popullsi shtetformuese dhe kanë të gjitha rrugët dhe mundësitë që të përfaqësohen». Ai theksoj se ndërhyrjet e kryeministrave përkatës në punët e brendshme të njëri-tjetrit nuk i sjellin dobi raportit vëllazëror ndërmjet dy vendeve.
Duke iu referuar skenës politike vendase, Rama shtoi se «shqiptarët kanë mjaftueshëm parti politike» dhe se ekzistojnë forca më shumë sesa nevojitet për të pasqyruar të gjitha opinionet. Po ashtu, ai vlerësoi se ruajtja e miqësisë me Hristjan Mickoskin dhe Ali Ahmetin nuk përbën ndonjë çudi, por përfaqëson një zhvillim pozitiv dhe vlerë të shtuar.


