Pse ka rënë me 36.1% numri i refugjatëve të papunë në Vjenë?
Shkurtimi dramatik i ndihmës sociale nga 1,230 në 437 euro ka detyruar qindra persona të pranojnë punë, por kreu i AMS paralajmëron për rritje të varfërisë.
VJENË — Ndryshimet e fundit ligjore në kryeqytetin e Austrisë kanë sjellë një rënie të ndjeshme të papunësisë te refugjatët me status të mbrojtjes plotësuese. Të dhënat e Shërbimit të Tregut të Punës (AMS) tregojnë se kjo erdhi pasi qyteti i Vjenës hoqi sigurinë minimale për këtë kategori në fillim të vitit.
Tashmë, të prekurit varen nga kujdesi bazë shtetëror, njësoj si në shtetet e tjera federale. Për individët, kjo do të thotë një reduktim i ndjeshëm i të ardhurave mujore: në vend të përfitimit prej të paktën 1,230 eurosh, ata tani marrin vetëm 437.50 euro në muaj, ose strehim me 62.50 euro shtesë në muaj.
Shifrat e reja të AMS-së, të raportuara nga gazeta "Standard", dëshmojnë efektin e kësaj mase. Në maj të vitit të kaluar, 8,590 persona me mbrojtje ishin të regjistruar si të papunë ose në trajnim, ndërsa në maj të këtij viti ky numër ra në 5,486, një rënie prej 36.1 për qind.
Papunësia pësoi rënie më të ngadaltë (vetëm 9.6%) te grupi i azilkërkuesve që ende gëzojnë sigurinë minimale. Megjithatë, deri në fund të majit, 2,192 persona me mbrojtje plotësuese kishin arritur të punësoheshin, krahasuar me 1,609 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas Fonds Soziales Wien, numri i përfituesve të rritur në kujdesin bazë ra nga 7,100 në dhjetor 2025 në rreth 5,000 aktualisht. Por shefi i AMS-së, Johannes Kopf, tërheq vëmendjen se kjo rënie nuk mund t'i atribuohet ekskluzivisht punësimeve të reja në tregun lokal të punës.
Kopf thekson se disa refugjatë mund të jenë zhvendosur jashtë vendit ose të jenë kthyer në shtëpi. Megjithatë, ai pranon se rreth 1,000 deri në 1,500 persona pranuan punë si rezultat i drejtpërdrejtë i përgjysmimit të ndihmave financiare shtetërore nga Vjena zyrtare.
Më tej, Kopf paralajmëron se presioni financiar po detyron të rinjtë të hyjnë shpejt në punë të pakualifikuara si shpërndarja e ushqimit, në vend të trajnimeve profesionale. Kjo rrezikon të shpërdorojë potencialin afatgjatë dhe të rrisë varfërinë, veçanërisë te fëmijët, pasi pagesa prej 437.50 eurosh është tejet e ulët.
Burim: Albinfo.ch
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.