Pse premtimet e Qeverisë së Maqedonisë për të rinjtë mbeten letra të zbrazëta?
Nga 31 premtime monitoruara, vetëm 4 janë realizuar pas gjysmës së mandatit të qeverisë së Mickoskit. Çfarë ka ndodhur me qendrat rinore, zbritjet dhe vendet e punës?
SHKUP — Në gjysmën e mandatit të Qeverisë së Maqedonisë, shumica e premtimeve për të rinjtë kanë mbetur letra të zbrazëta. Gjatë fushatës zgjedhore të 2024-ës, partia në pushtet kishte premtuar qendra rinore në çdo qytet, punë me kohë të pjesshme për studentë, 5.000 trajnime për aftësi digjitale dhe zbritje në transport, kulturë e sport.
Analiza "Kompas" e organizatave të pavarura zbulon se nga 31 premtime monitoruara, vetëm katër janë realizuar plotësisht, pesë janë në progres, ndërsa 22 nuk janë nisur fare. Qeveria ka realizuar vauçerët prej 250 eurosh për pajisje elektronike, projektin "Blej një shtëpi për të rinjtë" dhe themelimin e Ministrisë së Politikave Sociale, Demografisë dhe të Rinjve.
Por, sipas Risto Saveskit nga Forumi Rinor Arsimor (FRA), shumica e masave janë në "rikverc". Premtimi për 70.000 vende pune të reja për të rinjtë është larg realizimit — shkalla e punësimit të të rinjve (15-29 vjeç) ra nga 36.1% në 2025 në 34.6% në tremujorin e parë të 2026-ës, me 9.600 të rinj më pak të punësuar.
Një nga dështimet më të mëdha është aplikacioni "M", i cili do të ofronte zbritje për transport, kulturë dhe sport. "Aplikacioni mungon plotësisht, ashtu si edhe interneti falas në konviktet studentore dhe qendrat rinore. Këto nuk janë luks, por kushte themelore për qasje në arsim dhe shërbime", thekson Saveski.
Gjendja me qendrat rinore është po aq e rëndë. Nga 42 të premtuara, deri në fund të 2025-ës ishin hapur vetëm 14, ndërsa në disa rajone ato mbyllen. Këshilltarët për karrierë, të cilët duhej të ishin në çdo shkollë, mbeten vetëm në letër. Të rinjtë nuk kanë as e-biblioteka në fakultete, as mundësi për punë me kohë të pjesshme.
Sipas Saveskit, apatia e të rinjve ndaj proceseve shoqërore lidhet drejtpërdrejt me mungesën e qasjes në këto shërbime. "Si mund të përfshihen ata në shoqëri nëse nuk kanë asnjë mundësi?" pyet ai. Në arsim, situata është pak më e mirë — 12 premtime janë realizuar plotësisht, ndërsa 22 janë në progres.
Arsimi dual vlerësohet si suksesi më i madh i mandatit. Numri i kompanive të përfshira në mësim praktik u rrit nga 560 në 2024 në 875 në 2026, ndërsa fondet për nxënësit me aftësi të kufizuara u dyfishuan. Por, edhe këtu ka mungesa — në disa rajone ka suficit asistentësh, ndërsa në të tjera deficit.
*Burim: Portalb*
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.