Ndërron jetë avokati Sheremet Ademi
Ka ndërruar jetë Sheremet Ademi, themeluesi dhe kryetari i parë i Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të Personave të Zhdukur të Kosovës.
Redaksia ZHURMA · · 1 min lexim
Ka ndërruar jetë avokati Sheremet Ademi, i cili njihet si kryetari i parë dhe ndër themeluesit e Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të Personave të Zhdukur të Kosovës. Këtë humbje e ka bërë të ditur udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, përmes një shkrimi kushtuar veprës dhe kontributit të tij.
Gjatë periudhës së luftës, Ademi kishte humbur vëllain dhe dy nipër, çka bëri që ai ta përjetonte nga afër rëndësinë e pritjes dhe mungesës. Dhimbjen personale ai e ktheu në një angazhim të përditshëm për t'u dalë në krah familjeve tjera, duke u shndërruar në një ndër zërat më të zëshëm për drejtësi dhe zbardhjen e së vërtetës pas përfundimit të luftës në vend.
Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar ka theksuar se përkushtimi dhe vullneti i të ndjerit nuk u zbehën as gjatë vështirësive shëndetësore në periudhën e fundit, duke lënë pas një kontribut dhe qëndresë që do të mbeten përgjithmonë si mirënjohje për shoqërinë dhe institucionet.