Pse gratë që punojnë tokën në Kosovë mbeten pa subvencione?
Çfarë i pengon gratë bujqësore të përfitojnë të drejtat e plota mbi pronat që punojnë prej dekadash?
PRISHTINË — I.M. nga Vitia punon 80 ari tokë bujqësore, por nuk mund të aplikojë për subvencione te Ministria e Bujqësisë. Prona që punon prej gjeneratash mbetet në kontest juridik — një trashëgimi e blerë me gojë më gojë nga gjyshi i saj në 1956, pa dokumentim.
Prokuroria Themelore në Gjilan po e trajton rastin. Një person nga Serbia pretendon se toka i përket të parëve të tij, pa paraqitur asnjë dëshmi. I.M. mbjell grurë e misër, por pa përkrahje shtetërore "po shkakton probleme financiare për të vazhduar punën".
Në Rahovec, M.M. përballen me një barrierë tjetër: normat patriarkale. Pas vdekjes së vjehërrit, prona 1 hektarëshe kaloi në emër të kunatit, vëllait të madh. "Është turp që prona t'i kalojë një gruaje", insiston ai.
Burri i M.M. është i shkolluar dhe e kupton, por vëllai i refuzon. "Po mendon që ne kemi me fitu shumë me grante e kemi me i bë punët më mirë se ata", rrëfen ajo. Çështja mbetet e pazgjidhur — familja po pret, por "nuk kam qare pa e dërgu në gjykatë".
Avokatja Egzonë Bytyqi konfirmon se këto raste janë të shpeshta. "Shpesh ndodh që një pronë të përdoret për vite të tëra nga një familje, ndërsa në aspektin juridik të figurojë ende në emër të një personi tjetër", thotë ajo për Gazetën Express.
Mungesa e vetëdijes juridike, kostot e procedurave dhe bindja se "posedimi faktik është i mjaftueshëm" — këto i mbajnë qytetarët jashtë regjistrit zyrtar. Gratë vuajnë më së shumti: pa titull pronësie, ato nuk përfitojnë kredi apo subvencione.
Organizata EcoKosWomen (EKW) raporton shifër të ulët: gratë zotërojnë vetëm 4.6% të pronave bujqësore në Kosovë. Ligji parasheh zgjidhje, por çdo rast varet nga provat që posedojnë palët — dhe shumë gra nuk i kanë ato.
Burim: Gazeta Express
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.