GJKKO dënon nënën e Kryemadhit dhe liron Pirro Xhixhon
Gjykata e Posaçme dha vendimet për tre të pandehur në fraksionin e ndarë të dosjes Meta-Kryemadhi.
Redaksia ZHURMA · · 2 min lexim
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë vendimin për tre të pandehurit në fraksionin e ndarë të dosjes Meta-Kryemadhi, të cilët u gjykuan me procedurën e gjykimit të shkurtuar. Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, u dënua fillimisht me shtatë vite e gjashtë muaj burgim për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, ndërsa pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në pesë vite burg, ekzekutimi i të cilit u pezullua duke e vënë në shërbim prove për dy vjet. Sipas akuzës, përmes veprimeve të saj u futën në sistemin bankar rreth 846 mijë euro me burim të pajustifikuar në favor të vajzës së saj dhe ish-dhëndrit Ilir Meta, ndërkohë që gjykata rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për konfiskimin e vilës trekatëshe në zonën rezidenciale «Kodra e Diellit».
Në të njëjtën seancë, Ema Çoku u dënua për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës me dy vite burg, që u ulën në një vit e katër muaj përmes gjykimit të shkurtuar, me një periudhë shërbimi prove prej dy vitesh e tetë muajsh, ndërsa iu hoq edhe masa e detyrimit për t'u paraqitur. Sipas akuzës, Çoku kishte firmosur një deklaratë noteriale për një hua prej 220 mijë eurosh për të justifikuar burimin e parave të Fatime Kryemadhit. Nga ana tjetër, Pirro Xhixhi, babai i deputetes Erisa Xhixho, u shpall i pafajshëm për akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë, pasi u vlerësua se nuk provohet që e ka kryer këtë vepër penale, duke iu hequr edhe masa e sigurisë e detyrimit për t'u paraqitur në polici gjyqësore.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar



