Gjykata e Ferizajt dënon me një vit burg kanosjen me sopatë
Pse i pandehuri kërcënoi sërish viktimën edhe pasi pranoi fajësinë në gjykatë?
FERIZAJ — Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, e kryesuar nga gjyqtarja e vetme gjykuese Mimoza Maloku Shabani, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave personale dhe materiale, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.A., për shkak të veprës penale kanosja. Të pandehurin e shpalli fajtor dhe e gjykoi me dënim burgimi efektiv në kohëzgjatje prej një viti.
Sipas njoftimit për media, ngjarja ndodhi më 8 mars 2026, rreth orës 11:45, në një fshat në Komunën e Ferizajt. I pandehuri akuzohet se pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme dhe shqetësimeve të vazhdueshme që i bënte lidhur me pronën, me qëllim të frikësimit e kanosi të dëmtuarin V.M. në atë mënyrë që me dashje e me mjet (sopatë) e mbajti lartë në pozicion të përshtatshëm për t'i shkaktuar lëndime trupore, pastaj e kanosi me fjalë: “qetash ta …(fjalë fyese)… e nanës që po mi thirr policinë”.
Me këto veprime tek i dëmtuari shkaktoi ndjenjën e frikës dhe pasigurisë për jetën e tij.
I pandehuri pranoi fajësinë në seancën fillestare të mbajtur më 16 qershor 2026. Por, menjëherë pas pranimit të fajësisë, në të njëjtën seancë e kanosi sërish të dëmtuarin V.M., duke thënë: “nuk jam penduar për këto veprime dhe me gjak do ta paguaj sakicën djali i vëllait të tij që’ është polic dhe unë nuk e la këtë punë me kaq dhe e njoftoj se radion nuk e ndali kurrë e përjetë”.
Për shkak të kësaj kanosjeje të re në gjykatë, me aktvendim të veçantë të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Burim: Ekonomia Online
— Redaksia ZHURMA
Bisedoni
Komentet janë të hapura për anëtarët e Zhurma. Llogaria është falas — krijo një ose hyr në llogarinë tënde për me e thanë mendimin.