Nikea
Nikea (Nika) (gr. fitore), hyjneshë greke që personifikonte fitoren. Sipas Hesiodit, është bija e titanit Palant dhe e nimfës Stiks. Ajo u nderua nga Zeusi për ndihmën që u dha perëndive në luftën kundër titanëve. Nikea përfaqësonte jo vetëm fitoren në luftë dhe në garat atletike, por edhe suksesin në garat e gjinive të ndryshme (muzikore, letrare, të bukurisë). Në art Nikea paraqitet si një vajzë me fletë, që mban një kurorë dafine, shpesh hipur në qerre. Nikea është epitet i Atenës. Në Romë asaj i përgjigjet Viktoria.