Nëna e vatrës
Nëna e vatrës, hyjni e lashtë në mitologjinë shqiptare, që e ka origjinën nga epoka e matriarkatit. Në fillim përfytyrohej si një figurë pozitive, më shumë si një plakë me flokë të thinjura, në shumë raste duke tjerrë li ose lesh, ose duke krehur flokët. Nganjëherë Nëna e vatrës thirreshin edhe «të tretat e vatrës» dhe, si e tillë, identifikohet me tri motrat që përcaktojnë fatin e fëmijës, natën e tretë pas lindjes. Në përfytyrimet e mëvonshme, Nëna e vatrës na del me tipare negative. Ajo paraqitej si një plakë e keqe, e cila natën, kur njerëzit e shtëpisë flen, vjen dhe qëndron pranë vatrës, duke krehur flokët e saj me një krehër të hekurt dhe, po të gjejë aty ndonjë fëmijë e kap dhe i nxjerr sytë me krehërin e saj. Përfytyrimi i Nënës së vatrës si një figurë e keqe, lindi në kohën e rendit të patriarkatit, kur sundimi i gruas u zëvendësua me atë të burrit dhe, kur gruaja konsiderohej si një qenie e ulët dhe e poshtëruar.