Lutja

Lutja, fjalë a shprehje që thonë besimtarët gjatë një riti, fjalë që i drejtohen një hyjnie për të siguruar një të mirë ose për të larguar një të keqe. Për të vjetrit lutja ishte një mjet komunikimi magjik mbi hyjninë. Te grekët e vjetër lutja merrte formën e një marrëveshjeje midis hyjnisë dhe lutësit. Perëndisë i premtohej një flijim i caktuar dhe ai duhej të përmbushte dëshirën e lutësit. Për shembull trojanët iu lutën dhe i premtuan Atenës t’i bënin fli «dymbëdhjetë mëza motakë, të njomë, që kurrë s’provuan kular që të ketë dhimbje për qytetin dhe për foshnjat e njoma» («Iliada», VI, 110-111). Te grekët lutja shoqërohej me namatisje. Romakët i jepnin lutjes një rëndësi të madhe magjike. Feja romake kishte karakter më praktik se ajo greke. Te romakët lidhja midis njeriut dhe hyjnisë bëhej në bazë të parimit «unë të jap ty, që ti të më japësh mua». Gjithçka bazohej në marrëveshjen midis hyjnisë e njeriut dhe në përmbushjen formale të riteve. Në qoftë se riti ishte kryer, atëherë lutësi ishte i bindur se hyjnia do t’i jepte atij çdo gjë që kishte kërkuar. Duhej ditur me saktësi se cilës hyjni t’i drejtohej besimtari në një rast të caktuar, çfarë fjalësh duhej të thoshte, sepse gabimi më i vogël mund të prishte pikësynimin dhe dobinë e vet lutjes. Prandaj këshillohej që lutësi të mbulonte fytyrën që të mos hutohej. Por marrëveshja midis hyjnisë dhe lutësit i jepte mundësi këtij të fundit që ta gënjente perëndinë, mjaftonte që të respektohej forma. Në qoftë se lutësi i premtonte hyjnisë t’i bënte fli një numër të caktuar kokësh, ai mund t’i zëvendësonte kokët e njerëzve ose të deshëve me majat e sipërme të kokës (atje ku dalin flokët), sepse në lutje nuk thuhej se çfarë kokësh do të bëheshin fli. Kishte edhe rregulla të tjera që besimtarët duhej t’i respektonin gjatë lutjes. Kur kërkesa u drejtohej perëndive qiellore lutësit zgjatnin duart përpjetë, kur u drejtohej perëndive të nëntokës, preknin tokën me duar. Në mitologjinë greke lutjet personifikoheshin si bijat e Zeusit (Litai). Sipas Homerit në «Iliadën» (IX, 502-512), Lutjet ishin të çala, të rrudhura dhe me sy të shtrembër, dhe ndiqnin Atën (Marrëzinë) për të riparuar dëmet që ajo shkaktonte. Ai që i pranonte Lutjet fitonte ndërmjetësimin e tyre pranë Zeusit, kurse ai që i refuzonte ndëshkohej duke u lënë në mëshirën e Atës. Për njerëzit e vjetër lutja ishte një bestytni.

Ky zë është plotësuar nga redaksia e Zhurmës përtej tekstit të librit të Doc. Todi Dhamës.

Shih edhe

Përmendet te