Jola
Jola, bija e mbretit të Ekalisë, Eurit. Ky i fundit ia premtoi të bijën Herakliut, në qoftë se heroi do të arrinte t’ia kalonte në qitjen me hark. Meqenëse mbreti nuk e mbajti fjalën, Herakliu vrau Euritin dhe bijtë e tij. Përpara kësaj masakre të njerëzve të saj, Jola deshi të vriste veten, duke u hedhur nga një mur i lartë, por era i fryu petkat e saj dhe ajo ra në tokë pa pësuar asnjë gjë të keqe. Herakliu ia dërgoi atë gruas së tij, Dejanirës. Kjo e fundit, duke dyshuar se mos i shoqi do të preferonte vajzën e re dhe do ta përzinte atë, i dha atii tunikën e lyer me gjakun e centaurit Nesi, që shkaktoi vdekjen e Herakliut. (→ Herakliu). Jola u bë tërthorazi shkaku i fundit tragjik të heroit më të madh të lashtësisë.