Edward Joseph: BE s’veproi ndaj Serbisë për Mlladiqin, por qortoi Kosovën
Profesori amerikan ka reaguar ndaj qortimeve publike të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për ndryshimet në Ligjin e Dhomave të Specializuara.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Profesori amerikan, Edward Joseph, ka trajtuar çështjen e ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara që kanë kaluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke adresuar njëkohësisht reagimet dhe kritikat e drejtuara nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare ndaj vendit.
Sipas tij, qasja e Brukselit zyrtar ndaj këtyre zhvillimeve nuk është menaxhuar në mënyrë të duhur, duke theksuar se shqetësimet e tilla do të ishte dashur të ngriheshin në rrugë private, në vend se të lëshoheshin akuza publike për mosrespektim të obligimeve ndaj bllokut evropian.
Në këtë kontekst, analisti dhe profesori amerikan ka sjellë në vëmendje rastin e funeralit të Ratko Mlladiqit në Serbi, një ngjarje që u mbështet nga shteti serb, teksa kujton se ndaj Beogradit nuk u ndërmor asnjë veprim apo masë konkrete nga ana e Bashkimit Evropian, pavarësisht statusit të Serbisë si vend kandidat për anëtarësim.
Ai ka vënë në pah se mungesa e pasojave për Serbinë lidhur me atë ngjarje, krahasuar me atmosferën dhe reagimet festive të shënuara në Beograd pas shpalljes së aktgjykimeve nga Dhomat e Specializuara, kërkonin një shkallë shumë më të lartë ndjeshmërie gjatë trajtimit të ligjit të ri të Kosovës.
Në deklarimet e tij, profesori ka theksuar se Dhomat e Specializuara nuk mund të konsiderohen të paprekshme apo të imunizuara ndaj kritikave publike, duke evokuar krahasimet mes dënimeve të shqiptuara ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe vendimeve të dhëna nga Tribunali i Hagës për krime shumë më të rënda të kryera në rajon.
Qëndrimet e plota të profesorit amerikan të John Hopkins University janë shpalosur në kuadër të zhvillimeve rreth legjislacionit të ri të miratuar në Kuvend, për të cilin Bashkimi Evropian ka shprehur pakënaqësi dhe vërejtje të hapura publike ndaj institucioneve të Kosovës.