Bosnja i ndalon hyrjen Millan Radoiçiqit
Autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë ia kanë ndaluar hyrjen Millan Radoiçiqit, duke e shpallur atë kërcënim për sigurinë kombëtare.
Redaksia ZHURMA · · Përditësuar · 2 min lexim
Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit në Banjskë të veriut të Kosovës, iu ndalua hyrja në Bosnje dhe Hercegovinë pasi u cilësua kërcënim për sigurinë kombëtare, konfirmuan burime të sigurisë. Sipas këtyre burimeve, vendimi u mor më 13 nëntor, katër ditë para se Gjykata e Lartë në Beograd të urdhëronte paraburgimin e tij dhe ta shpallte në kërkim. Institucionet përgjegjëse boshnjake nuk dhanë hollësi për arsyet e këtij vendimi, ndërsa ndalimi nënkupton se Radoiçiqit do t’i refuzohet hyrja ose do të ndalohet në çdo pikë kufitare të këtij shteti.
Vendndodhja e Radoiçiqit mbetet e panjohur pas mungesës së tij ndaj organeve të drejtësisë në Serbi, ndërkohë që më herët atij i ishte konfiskuar pasaporta, i ishte ndaluar largimi nga vendbanimi dhe kishte ndalesë udhëtimi për në Kosovë. Zhdukja e tij ndodhi pas humbjes së Partisë Përparimtare Serbe në zgjedhjet e fundit të tetorit, ndërsa qarkulluan informacione të pakonfirmuara për largimin e tij drejt Rusisë, pretendime që nuk u konfirmuan nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit dhe Ambasada ruse në Beograd.
Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues serbë. Autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për këtë rast, përfshirë Radoiçiqin që po gjykohet në mungesë, ndërsa përmes UNMIK-ut është lëshuar fletarrestim ndërkombëtar. Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe i kanë vendosur më herët sanksione për krim të organizuar dhe korrupsion, kurse ndalimi i tij në Bosnje erdhi pak ditë pas largimit të bashkëpunëtorit të tij në biznes, Zvonko Vesellinoviq, i cili u largua nga Sarajeva drejt Turqisë më 11 nëntor.
Lexo edhe
Më shumë →Koleksione · të dhëna të verifikuara
Vazhdo me më të lexuarat sot
Përditësuar